Mijëra nxënës në ‘Festën e Balonave’ në Belsh
Për të katërtin vit në bashkinë e Belshit vijon tradita e ‘Festës së Balonave’, e cila synon që promovojë bukuritë e zonës së Dumresë si dhe të kontribuojë për tërheqjen e sa më shumë turistëve në të ardhmen. Edhe këtë Pranverë në Malin e Gradishtës Bashkia e Belshit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Elbasan organizuan “Festën e Balonave” .
Ky event u zhvillua në prag të kësaj fundjave duke e kthyer atë në një aktivitet masiv me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme. Aktiviteti në të cilin morën pjesë me qindra nxënës të 14 shkollave nga të gjitha Njësitë Administrative të bashkisë Belsh dhe nga Shkolla e Bashkuar Shalës e Bashkisë Cërrik u zhvillua në malin e Gradishtës , një ndër pikat më ta bukura turistike dhe nga më të lartat e zonës së Dumresë.
Pavarësisht terrenit disi malor ishin të shumtë ata të rinj , të cilët ngritën balonën e tyre duke shfrytëzuar edhe kohën ideale që mbizotëroi gjatë zhvillimit të festës këtë të premte . Dhjetëra nxënës ngritën në qiell balonën e shkollës së tyre gjatë kësaj feste e cila u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit e shumtë të cilët Festën e Balonave e kthyen në një ditë argëtimi special.
Festa e Balonave në Belsh është një traditë që është rikthyer sërish vitet e fundit në këtë zonë. Ato ishin përgjithësisht të thjeshta por organizatorët shpresojnë që në vitet e ardhshme ato të jenë edhe më të larmishme dhe Festa e Balonave të tërheqë edhe interesin e sa më shumë turistëve në zonën e Belshit e cila shquhet për liqenet e saj të shumtë karstikë.
Ndërkohë kryetari i bashkisë Arif Tafani tha se pushteti lokal do të ofrojë mbështetjen e tij që të tilla evenimente me karakter sportivo argëtues të jenë më të shpeshta dhe gjatë të ardhmes në Belsh po bëhen të gjitha përpjekjet për tu zhvilluar ndoshta edhe Festivali Ndërkombëtar i Balonave.
Gjatë përshëndetjes së rastit para të pranishmëve në Festën e Balonave, kryebashkiaku Arif Tafani theksoi se Bashkia ka rikthyer vitet e fundit Festën e Balonave në Belsh e cila do të zhvillohet çdo vit në Malin Gradishtēs. Festa e Balonave sipas Tafanit do të ketë vazhdimësi dhe tashmë u shpreh ai e themi me krenari që ajo është kthyer në një traditë fantastike që besoj se do të lërë gjurmë në kujtesën e atyre që po kalojnë fëmijërinë në këtë zonë kaq të bukur.
Sipas kryebashkiakut Arif Tafani ,pavarësisht vështirësive, tashmë edhe kjo zonë e qytetit parashikohet të ketë në një të ardhme të afërt infrastrukturën e nevojshme për t’u bërë sa më e vizitueshme në çdo kohë pasi Malit të Gradishtës po i rikthehet bimësia , ndërkohë që më parë ishte një tokë e djerrë dhe ky është një lajm i mrekullueshëm për Belshin. Gjithashtu gjatë këtij eventi , kryebashkiaku, Arif Tafani i falënderoi të gjithë ata që kontribuuan me pjesëmarrjen e tyre dhe që ndoqën aktivitetet e shumta që shoqëruan “Festën e Balonave -Belsh 2019”.
Ngritja e balonave ishte një garë mes nxënësve të shkollave të bashkisë Belsh dhe jo vetëm dhe aktivitete të kësaj natyre do të jenë të shumta me nxënësit e shkollave dhe ato nuk synohet që ti shërbejnë vetëm argëtimit dhe edukimit por edhe që të tërheqin sa më shumë turistë në zonën e Dumresë.
Pas Festës së Balonave organizatorët ndanë edhe çmime për tre më të mirët e garës së ngritjes së Balonave. Çmimin e parë e meritoi shkolla e Kajanit, Çmimin e Dytë shkolla e Kosovës dhe Çmimin e tretë shkollës 9-vjeçare Qafë Shkallë.