Belsh map

Shafrani i Dumresë

Qysh në lashtësi konsiderohej si bimë luksi – “porta” kryesore që ndante të pasurit nga të varfrit, njerëzit që e njihnin mirë se ç’ishte me vlerë për shëndetin e tyre apo, nëse nuk e dinin këtë, besonin se ishte bima që bënte mrekullitë. Dhe, pastaj, ata të tjerët që, megjithëse nuk i njihnin vetitë e bimës, e dinin se mbretërit, faraonët e kishin aksesorin kryesor të tryezës dhe, duke qenë kështu, e kishin vendosur veten në një shtresë më të lartë nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Përpara se të njihej si ngjyrues apo si erëz në kuzhinë, shafrani, bima çudibërëse me histori jo më pak të tillë mbrapa, i ka gjurmët (dokumente apo piktura) te përdorimi i gjerë si ilaç natyror. Në Mesopotami njihej një ritual gjatë të cilit, me këndime e kërcime, evokoheshin efektet shëruese të shafranit. Luftëtarët persianë dhe ata helenë, pasi ktheheshin nga betejat e lodhshme, bënin banjë me ujë me shafran për të lehtësuar dhimbjet. Ky ritual u bë aq popullor, saqë Aleksandri i Madh e bëri pjesë të ditës kurën natyrale me shafran. Gjente qetësinë që i duhej për një ditë tjetër të lodhshme e të ngarkuar.

Nga koha e egjiptianëve të lashtë, ata që janë njohur historikisht si përdorues të shafranit, e deri më sot, kanë kaluar mijëra vjet, por asgjë nuk ka ndryshuar nga bima e mrekullive. Është po njëlloj e vlefshme, ka po të njëjtat veti dhe, gati-gati, vendos po të njëjtët kufij mes njerëzve.

Në Shqipëri, prej pothuaj 4-vjetësh, shafrani është një kulturë jo vetëm e prekshme nga të gjithë, por një kulturë e cila po përhapet me shpejtësi të madhe. ‘Zafferano di Dumre’ është emri me të cilin njihet jashtë kufijve shafrani i Dumresë. Ndryshe nga shafrani që njohim ne të gjithë (kurkuma), është një kulturë krejt e re për tregun shqiptar, me klientë të spikatur që ia dinë vlerën bimës.

Denisa Elezi, administratore e kompanisë “Victus Fed”, që prodhon shafranin e Dumresë në Shqipëri, para së të listojë vlerat e pafundme të kësaj bime, thekson se perceptimi i parë i njerëzve, si një bimë luksi, në të vërtetë, më shumë sesa për koston, duhet të jetë për benefitet që bima ka: “Në të vërtetë është një bimë luksi për benefitet që sjell. Një nga arsyet pse ne vendosëm të merreshim me këtë aktivitet në Shqipëri (e kemi përzgjedhur me shumë kujdes) ishte edhe për faktin se është diçka që sjell shumë benefite afatgjata për shëndetin. Donim të mos ishte thjesht vetëm biznes, por edhe diçka e dobishme në thelb për këdo. Duke qenë ne vetë konsumatorët e parë, e kishim më të thjeshtë për ta hedhur si kulturë dhe dhënë garanci për përdorimin e saj.”

Vetë Denisa ka studiuar Psikologji dhe kureshtja rreth shafranit bëri që të njihet me studimet mbi efektet e tij në organizëm. Ndër të parat, ishte fakti që shafrani i Dumresë rezultonte një antidepresiv dhe ansiolitik shumë i mirë. Pra, nëse do të rekomandohej një alternativë për të reduktuar simptomat e depresionit dhe ankthit ajo do të ishte, pa asnjë dyshim, një çaj shafrani. Nisur edhe nga ky fakt, kureshtja shkoi më tej për të mësuar çfarë vetish dhe benefitesh të tjera fshihte bima.

Siç tregon Denisa, në fillim nuk ishte aspak e thjeshtë. Të sjellësh në Shqipëri një kulturë që jo vetëm nuk e njohin mirë, por edhe e ngatërrojnë me kultura të tjera që nuk kanë as ngjashmërinë më të vogël, është një sfidë e vërtetë dhe, mbi të gjitha, kosto e madhe. Por, megjithatë, rezultoi e suksesshme. Nisi që nga zona e Dumresë…

“Dumreja u zgjodh sepse familja ime është me origjinë nga ajo zonë dhe kjo na bën ta njohim mirë territorin. Për më tepër faktoret e nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e bimës janë të përshtatshme.”

Pas suksesit të fazës eksperimentale, duke parë cilësinë e shafranit të Dumresë dhe procesit të prodhimit, kompania i është nënshtruar certifikimit sipas standartit ISO 22000, nëpërmjet kompanisë internacionale TUV Austria – Hellas, duke përftuar certifikimin.

‘Zafferano di Dumre’ gjendet në disa dyqane të përzgjedhura, në disa qytete të Shqipërisë. Po ashtu, në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Elbasan, Sarandë) ka disa disa restorante që gatuajnë me shafran Dumreje. Por në këtë drejtim, shton Denisa, mbetet akoma për të bërë: “Përsa i përket tregut jemi në rritje, por çdo gjë kërkon durim dhe kohën e duhur.”

Për fat të keq, problem përbën informimi apo keqinformimi: “Ka shumë njerëz që blejnë shafran, por në fakt, ajo që blejnë ose nuk është fare shafran (si në rastin e pluhurit të sintetizuar në laborator) ose shafran aspak cilësor nga i cili nuk marrin vlerat për të cilat shafrani vlen të përdoret. Kështu, ti i harxhon ato para dhe nuk ke asnjë lloj benefiti për shëndetin.”

“Njerëzit nuk kanë informacion të mjaftueshëm, ose shpesh informacioni vjen konfuz. Njerëzit akoma nuk e dinë cili është shafrani (crocus sativa) dhe cili është dallimi nga ai që njohin si shafrani i Indisë (curcuma longa). Shafrani i Indisë ose kurkuma është një erëz që ka karakteristikat dhe vetitë e veta, të cilat ndryshojnë nga ato të shafranit. Fakti që në Shqipëri dy erëza të ndryshme njihen më emra të përafërt, krijon konfuzion (herë qëllimisht, herë jo).

Pra, të tregohemi të kujdesshëm në përzgjedhjen e shafranit. Mbi të gjitha, shafrani i vërtetë, kur futet në ujë, lëshon një ngjyrë të artë, dielli, dhe jo të verdhë.

Përzgjidhni gjithmonë pistilat ndaj pluhurit. Nëse blini pluhur, kujdesuni të jetë me ngjyrë të kuqërremtë dhe jo të verdhë (e verdha ngjyra e kurkumës – e kuqja ngjyra e shafranit).

Nëse ti je një klient që po e blen shafranin si një erëz të çmuar dhe nuk zgjedh më të mirin, pra nuk merr të gjitha benefitet që shafrani sjell, është si të blesh një ilaç të skaduar”, – shton Elezi.

Çfarë garancie ka shafrani i Dumresë?

Fokusi i kompanisë, gjatë këtyre viteve të para ka qenë prodhimi: “Të pretendosh të dalësh në treg me një produkt që ka një kosto, duhet të japësh garanci dhe të sigurosh cilësinë. Fakti që ne, edhe lëndën e parë e kemi marrë nga Italia, të përzgjedhur nga një prodhues historik dhe të certifikuar, do të thotë që garantojmë dhe rezultat të mirë. Ne nuk jemi fokusuar shumë te këto certifikimet e “modës”, që mund të jenë ‘bio’ etj., por te një kompani ndërkombëtare, e cila ka një standard që duhet ruajtur dhe që garanton cilësinë e produktit. Certifikimi është një garanci plus që ti do t’i japësh klientit.

Njerëzit, thotë Denisa, duhet të kërkojnë informacion dhe kur shkojnë të hanë në një restorant: pse të mos pyesësh me çfarë shafrani është bërë kjo pjatë?

Vlerat e shafranit

Një gram shafran i vërtetë vlen më shumë sesa një gram ar. Sepse është nga të paktat produkte që dallohet për vlerat që ka dhe sidomos dallon për raportin sasi dhe veti që merr. Në aq pak pistila mund të marrësh shumë vlera, vlera të të gjitha kategorive, disa vitamina në përqendrime të konsiderueshme, shumë antioksidantë, karrotenoide, kripëra minerale, ndihmon në përmirësimin e funksioneve kognitive, ndihmon në rrit imunitetin, këshillohet në stadet iniciale të sëmundjes së Alzheimer-it, është një nga antikancerogjenët më të fuqishëm në natyrë pasi inibon zhvillimin e qelizave kancerogjene.

Shafrani është i pasur me shumë vitamina si A, B1, B2, B3, B6, C.

Ka të përqendruar në vetëm disa pistila një sasi të konsiderueshëm elementësh kurativë.

Tregtimi në pistila dhe jo në pluhur është e vetmja mënyrë për të qenë i sigurt 100 për qind që është shafran dhe jo një pluhur me elementë të tjerë. Siç janë pistilat që mblidhen nga lulja, thahen dhe ambalazhohen. Mjafton të shohësh, është i freskët, i pastër dhe me ngjyrën e vet natyrale.

Shafrani i Dumresë i ruan në formë të plotë të gjitha vetitë për 3- 4 vjet (zyrtarisht 3 vjet), nëse konservohet në errësirë, larg burimeve të lagështisë apo zjarrit). Nuk duhet të mbahet në frigorifer!

Kategoritë që kanë nevojë për kurë me shafran

Nëse e përdorim në formë preventive (parandaluese) si çaj, mjaftojnë 5-6 pistila në ditë.

Në personat që vuajnë nga patologji për të cilat është vërtetuar efekti terapeutik i shafranit, përdorimi duhet të jetë në doza më të larta. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se mund të shërohen duke ngrënë disa pistila në ditë, por doza që duhet respektuar për të pasur efektin e dëshiruar varion. Përgjithësisht, nëse ndjek një terapi kuruese alternative, rekomandohen 20 deri në 50 pistila në ditë.

Shafrani i Dumresë mund të përdoret nga të gjitha grupmoshat. Duke filluar që nga fëmijët. Në kohën që u dalin dhëmbët, shafrani është një qetësues shumë i mirë, antiiflamator.

Është gjithashtu shumë i këshilluar për gratë gjatë ciklit menstrual, ndihmon në qetësimin e dhimbjeve (antispazmotik) dhe luhatjeve të humorit.

Përdorimi i rregullt ndihmon në uljen e yndyrave në gjak.

Po ashtu, Shafrani i Dumresë është edhe për diabetikët dhe këshillohët një përdorim konstant. Një studim shkencor i bërë në Itali nga një grup studiuesish, vërteton se elementët që përmban shafrani zvogëlojnë efektet negative të diabetit në dëmtimin e retinës së syrit.

Kjo e bën shafranin ndër të vetmet produkte natyrale që ndihmon, por edhe shëron. Nëse ti vërtet ke një sëmundje dhe nis trajtimin me shafran, rezultati në kohë do të jetë i mrekullueshëm.

Burimi: www.classlifestyle.com – A. Salla, 30 Janar 2018